
KLP: 4 kandidatët plotësojnë kushtet për të drejtuar SPAK-un
Dritare.net
Katër kandidatët që kërkojnë të zënë vendin e Altin Dumanit, plotësojnë kushtet për të qenë kryetarë të SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot dhe miratoi listën me 4 kandidatë Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj. Kryetari i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Sokol Stojani tha se kandidatët i plotësojnë kushtet për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme dhe emrat e tyre u kualifikuan për të vijuar më tej garën.
“Të 4 kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar për të qenë në krye të SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për të kandiduar për vendin vakant për drejtues të SPAK”, tha Sokol Stojani.
Miratimi i listës me 4 kandidatët në KLP është bërë me 10 vota pro. Në votim nuk mori pjesë vetëm anëtari Zeqir Hodaj. Hodaj u largua pak para votimit pasi sipas tij ka pasur shkrime në media se ai ndodhet në situatën e konfliktit të interesit sepse i biri është emëruar në BKH, nga një prej kandidatëve Klodian Braho. Këtë situatë tha anëtari i KLP e gjykonte jo si arsye për të qenë në konflikt interesi por derisa kjo të sqarohet ai nuk po merrte pjesë në këtë votim.
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, por kërkoj t’i jepet kohë edhe Këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me të. Vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjor”, u shpreh Zeqir Hodaj.
Pasi kaluan këtë etapë, kandidatët do të ftohen për t’u intervistuar nga KLP. Ata pritet t’i nënshtrohen një procesi të hapur përmes intervistave publike dhe vlerësimeve nga KLP, ku do të merret parasysh përvoja e tyre profesionale, integriteti, vizioni dhe aftësia për të drejtuar një institucion që ndodhet nën vëmendjen më të lartë publike.
Më 18 dhjetor, Altin Dumani, do të duhet të lerë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas një mandati 3-vjeçar./L.F-dritare.net

















