Na ndiqni edhe në

Opinione

Protesta në kornizat e Goffman!

Protesta në kornizat e Goffman!

Nga Flogert Muça

Erving Goffman (sociolog nga më ndikuesit e shekullit që shkoi) është i njohur edhe sot për teorinë e framing (kornizimit), të zhvilluar veçanërisht në librin e tij Frame Analysis.

Më poshtë po u sjell pak kontekst për të kuptuar si funksionon mbjellja e perceptimit (nga të gjitha palët) e si fitohet një betejë.

Ideja bazë e Goffman është shumë e thjeshtë:

Njerëzit nuk reagojnë drejtpërdrejt ndaj fakteve. Ata reagojnë ndaj mënyrës se si faktet paraqiten dhe kuptohen.

Goffman argumentonte se secili prej nesh përdor “korniza” mendore për t’iu përgjigjur pyetjes: Çarë po ndodh këtu?

Kush e fiton këtë betejë të interpretimit, shpesh fiton edhe debatin publik.

Po ta kontekstualizojmë me protestën dhe debatin “po shitet Shqipëria”:

Sipas Goffman-it, analiza e tij shkencore do të pyeste: si është ndërtuar ky interpretim dhe pse është bërë bindës për turmën?

Goffman do të argumentonte se një pjesë e publikut e ka përvetësuar një frame (kornizë interpretimi) veprime të ndryshme politike, ekonomike, etj dhe kaq.

Faktet mund jenë të njëjta, por
publiku do t’i interprejtjojë ndryshe sipas kornizës që pranon.

Mekanizmat e framing-ut:

Përzgjedhja e fakteve.

Theksohen rastet që mbështesin narrativën.

Injorohen ose minimizohen informacionet që e kundërshtojnë.

Simbolet kombëtare.

Flamuri, toka, deti, pylli, trashëgimia historike.

Konflikti paraqitet si mbrojtje e kombit, jo vetëm si debat politik.

Identifikimi i një protagonisti.

Figura e kryeministrit bëhet simbol i të gjithë procesit.

Ngjarje të ndryshme lidhen me të njëjtin person.

Ripërsëritja:

Sipas teorive të komunikimit masiv, një mesazh i përsëritur vazhdimisht fiton besueshmëri dhe bëhet pjesë e “realitetit të përditshëm”.

Si do ta lexonte Goffman turmën? Ai do të thoshte:

Turma po vepron brenda një përkufizimi të përbashkët të situatës.

Nëse shumica e protestuesve e përkufizojnë situatën si “mbrojtje e Shqipërisë nga shitja”, atëherë sloganet, emocionet dhe veprimet e tyre bëhen logjike brenda asaj kornize.

Nga pikëpamja shkencore duhet bërë dallimi midis:

Framing-ut (mënyra si paraqitet realiteti);

Propagandës(përpjekja sistematike për të orientuar opinionin);

Fakteve empirike.

Goffman studion kryesisht nivelin e parë: mënyrën si njerëzit organizojnë përvojën dhe kuptimin. Ai nuk gjykon nëse pretendimi “Rama po shet Shqipërinë” është i vërtetë apo i pavërtetë; ai analizon se si ky pretendim mund të bëhet korniza dominuese për interpretimin e ngjarjeve.

Prandaj, sipas Goffman-it, ndikimi i mundshëm i propagandës nuk qëndron vetëm te bindja e njerëzve për një fakt, por te ndërtimi i një frame-i interpretues ku çdo ngjarje e re shihet përmes të njëjtit filtër: “interesi kombëtar kundër shitjes së vendit”. Kjo e bën mesazhin shumë të fuqishëm në mobilizimin e turmës.

Një tjetër ide e Goffman-it është se:

Kur një palë arrin ta përcaktojë temën e debatit, pala tjetër shpesh detyrohet të luajë në terrenin e saj.

Për shembull, nëse debati kornizohet si: A i shpëtojmë flamingot? Atëherë edhe kundërshtari fillon të flasë për flamingot.

Nëse kornizohet si: A ka nevojë Shqipëria për investime strategjike?Atëherë debati lëviz te ekonomia.

Prandaj, sipas Goffman-it, konflikti politik nuk është vetëm konflikt faktesh; është konflikt për përkufizimin e realitetit.

Një formulim i famshëm që përmbledh idenë e tij është:

Pyetja më e rëndësishme nuk është “A janë të vërteta faktet?”, por “Çfarë historie po përdoret për t’i interpretuar ato?”/dritare.net