
Ndahet nga jeta ish-ambasadori dhe një nga themeluesit e PD, Abdi Baleta
Dritare.net
Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Abdi Baleta, ka ndërruar jetë.
Abdi Baleta lindi në vitin 1941 në fshatin Gur i Bardh të Matit. Ai studioi marrëdhënie ndërkombëtare në Moskë dhe u diplomua për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.
Gjatë karrierës së tij, Baleta shërbeu në diplomacinë e shtetit shqiptar si punonjës dhe drejtor në Ministrinë e Jashtme, si dhe si ambasador dhe përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në New York, SHBA, deri në vitin 1983. Nga viti 1983 deri në 1987 kreu detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Pogradec, ndërsa nga 1987 deri në 1995 ishte pedagog i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë.
Në vitet 1991–1996 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 1994, Baleta u largua nga PD dhe themeloi forcën politike “Rimëkëmbja Kombëtare”.
Kontributi i tij në diplomaci, drejtësi dhe politikë e bën emrin e Abdi Baletës të paharrueshëm në historinë e Shqipërisë./K.C/dritare.net

















