Na ndiqni edhe në

Shëndet

Shega, fruti magjik i vjeshtës. Ja pse s’duhet ta lini pa provuar!

Shega, fruti magjik i vjeshtës. Ja pse s’duhet ta lini pa provuar!

Me ngjyrën e saj të zjarrtë dhe shijen mes ëmbëlsisë e thartirës, shega është një nga frutat më të dashur të stinës së vjeshtës. E njohur si “fruti i jetës”, ajo jo vetëm që i jep ngjyra tryezës, por mbart edhe një pasuri të jashtëzakonshme vlerash ushqyese e simbolike.

Një frut me histori mijëra vjeçare
Shega kultivohet prej mijëra vitesh në rajonin mesdhetar dhe Lindjen e Mesme. Në kulturat e lashta, ajo ka qenë simbol i pjellorisë, bollëkut dhe rinisë së përjetshme. Gjithashtu përmendet në mite, libra të shenjtë dhe legjenda, duke e bërë jo thjesht një frut, por edhe një pjesë të historisë së njerëzimit.

Shëndeti në çdo kokërr
Kokrrat e vogla, rubin të kuqe, janë të pasura me antioksidantë të fuqishëm, vitaminë C, kalium dhe fibra. Studimet tregojnë se konsumimi i rregullt i lëngut ose kokrrave të shegës ndihmon në:

-Forcimin e sistemit imunitar
-Përmirësimin e qarkullimit të gjakut
-Uljen e kolesterolit
-Mbrojtjen e zemrës dhe parandalimin e plakjes së parakohshme të qelizave.
Përveç kësaj, shega ka veti antiinflamatore dhe ndihmon në ruajtjen e lëkurës së shëndetshme, duke e bërë një “eliksir natyral bukurie”.

Shega mund të shijohet e freskët, si lëng, në sallata, ëmbëlsira apo edhe në gatime tradicionale me mish. Kokrrat e saj të kuqe japin jo vetëm shije unike, por edhe një pamje elegante çdo pjate./K.C/dritare.net