Zjarri në kompleksin “Arlis” në Tiranë, në kërkim ndërtuesi i godinës
Dritare.net

Zjarri masiv që përfshiu një nga godinat e kompleksit “Arlis” në zonën e “Farmacisë 10” në Tirana ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa rreth 30 banesa janë prekur nga flakët.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim ndërtuesin e kompleksit, Armando Lilo, ndërsa disa persona të tjerë janë arrestuar, përfshirë menaxheren e marketit ku dyshohet se ka nisur zjarri dhe administratorin e pallatit.
Sipas hetimeve paraprake, vatra e zjarrit ka qenë në katin 0 pranë një marketi, në hapësirën e jashtme të godinës. Ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i shpërthimit të flakëve, por dyshohet se përhapja e shpejtë deri në katet e sipërme është favorizuar nga materialet e fasadës së ndërtesës.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur përgjegjësitë ligjore dhe rrethanat e plota të ngjarjes./L.F-dritare.net