
Ligjvënësit e Shqipërisë mblidhen sot në Kuvend për seancë plenare në orën 10:00. Në rendin e ditës një nga pikat kryesore është mocioni me debat për problematikat e evidentuara në raportin vjetor të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri, si edhe për gjetjet e progresraportit të Komisionit Europian të miratuar nga Parlamenti Evropian.
Debati pritet të përqendrohet te ekonomia, korrupsioni, klima e biznesit dhe standardet e kërkuara në procesin e integrimit europian. Kjo pikë e rendit të ditës pritet të mbyllet me një projekt-rezolutë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Të planifikuara për sot janë dhe 6 interpelanca, të kërkuara nga opozita. Deputeti Tritan Shehu kërkon nga kryeministri Edi Rama shpjegime për propozimin e përbashkët të tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për anëtarësimin me të drejta jo të plota në BE.
Po ashtu, interpelanca do të zhvillohen edhe me Zëvendëskryeministren Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri; Ministrin e Financave, Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Enno Bozdo; Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, kërkuar nga deputeti Erion Braçe; Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Erion Braçe, si edhe nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Rendi i ditës
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 7.5.2026.
2. Njoftime.
3. Mocion me debat për problematikat e konstatuara nga raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri dhe gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian.
4. Projektrezolutë "Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. 5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputeti Tritan Shehu.
6. Interpelancë me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Shqipërisë, znj. Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
7. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Enno Bozdo.
8. Interpelancë me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
9. Interpelancë me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
10. Interpelancë me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
11. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.