
Nga Nertil Jole
Kosova votoi në zgjedhjet vendore, vetëm 8 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Nga rezultatet paraprake, mund të kuptojmë disa mesazhe që qytetarët kanë shprehur nëpërmjet ushtrimit të vullnetit të tyre.
Si fillim, në çdo rast duhet bërë një dallim mes zgjedhjeve parlamentare e atyre vendore. Të parat janë gjithmonë shumë politike, ndërsa të dytat janë më pak të tilla, sepse qytetarët kanë rastin të zgjedhin administratorët dhe këshilltarët e komunave ku jetojnë, mbi bazën e preferencave të kandidatëve që kanë qenë pjesëmarrës në garë, pa përjashtuar ndikimin që ka forca politike që i ka propozuar.
Sidoqoftë, zgjedhjet vendore shërbejnë edhe si një lakmus e trendit të zhvillimeve politike e që në mënyrë të natyrshme lidhet me problemet e aktualitetit qeverisës. Por nga ana tjetër, ato janë edhe shprehje e një vetëdije dhe intuite e votuesëve, të cilët asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar, pasi gjithmonë arrijnë të japin sinjale shumë domethënëse, që meritojnë një lexim të kujdesshëm. Në rastin konkret, nga fituesit e zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti.
“Vetëvendosja” dhe lista përfaqësuese e grupimit të Vjosa Osmanit, duket se në zgjedhjet lokale kanë marrë një rezultat shumë të ndryshëm nga fryma e përkrahjes politike të 8 muajëve më parë, e cila bëri të mundur formimin e një mazhorance qeverisëse dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Mendoj se arsyet për këtë rezultat të dobët, janë tre.
E para, votuesit kosovarë dëshmuan se kanë intuitën e duhur të vlerësimit për politikanët e tyre. Siç po duket, ata nuk u priren të votojnë me synimin për të glorifikuar pushtetin aktual politik. Mesa duket janë prirur të bëjnë zgjedhje alternative, të cilat në më të paktën e tyre reflektojnë parimin e balancimit të pushtetit qëndror dhe vendor. Kjo në vetvete e mbron dhe e shëndosh pluralizmin politik, e njëherazi dobëson çdo përpjekje tjetër që në themel mund të ketë interesa të ngushta politike.
Besoj se kjo ka ndodhur jo thjesht si shprehje refraktare ndaj qeverisësve aktualë të vendit, por edhe si shprehje e një besimi që buron nga ndryshimet e lidershipit të partive opozitare. Këtu i referohem kryesisht PDK-së dhe LDK-së, të cilat treguan në periudhën post-zgjedhore një sens reformimi. Më pak i referohem në këtë kuptim AAK-së, Nismës Socialdemokrate apo AKR-së, duke qenë se këto të fundit nuk e pësuan si partitë e tjera opozitare një ripërtëritjeje të lidershipit të tyre, si shenjë maturie e reflektimi politik, kundrejt rezultatit të siguruar në zgjedhjet e fundit parlamentare.
E dyta, qytetarët mendoj se kanë patur vigjilencën e mjaftueshme për të vlerësuar me objektivizëm performancën në administrimin disa mujor që qeveria qëndrore iu ka bërë punëve të vendit. Këtu kam kryesisht parasysh pasojat shumë problematike të pandemisë, të cilat e renditën Kosovën në krye të listës për keqadministrim të situatës pandemike. Zgjodha thjesht këtë shembull aktual e shumë eminent, pasi për aspekte të tjera të lidhura me ekonominë, klimën e biznesit apo vëmendjen për sektorët e tjerë, patjetër që duhet pranuar se është ende herët për të dhënë një vlerësim më të plotë e realist për qeverinë Kurti. Pa harruar problemin e rëndësishëm të marrëdhënieve me Serbinë e pse jo edhe nuancat dritë-hije në qëndrimet ndaj Shqipërisë.
E treta por jo për nga rëndësia, është mesazhi qytetar i shoqërisë së Kosovës në këto zgjedhje. Personalisht, e vlerësoj si shembull të emancipimit faktin se votuesit kosovarë i dhanë një "shuplakë" arrogancës e vetëkënaqësisë së ekzagjeruar të disa politikanëve. Mesa duket, ata e kanë kuptuar që ajo qasje e gabuar nuk sjell në thelb asnjë risi në raport me pritshmërinë që kanë qytetarët.
Përkundrazi, të tilla manifestime e polarizojnë pa dobi klimën politike e sociale të vendit, në dëm të përspektivës që siguron një bashkëjetesë civile që e demokratizon realitetin. Për më tepër që në ndonjë rast, ajo mund të rrezikojë të krijojë edhe atrofizim të panevojshëm të marrëdhënieve diplomatike mes shtetit të Kosovës dhe aleatëve strategjikë, SHBA-së dhe BE-së. Kjo, jo si perceptim i gabuar për ndonjë vasalitet apo inferioritet ndaj fuqive të mëdha, por si dimension i një aleance funksionale, e cila garanton zgjidhjen më të drejtë e më të shpejtë, që i mundëson Kosovës realizimin e marrëveshjes historike me Serbinë, njëherazi duke i ndezur edhe dritën jeshile aspiratës së vendit për integrim në familjen e Bashkimit Europian.
Në përfundim, mbështetur në rezultatet e publikuara deri tani, raundi i parë i zgjedhjeve vendore faktoi se “Vetëvendosja” nuk ka fituar asnjë komunë. Disa komuna të tjera kanë kaluar në balotazh e për këtë duhet pritur rezultati fundor që të analizojmë më saktë.
Por ajo që mund të pohojmë më siguri është se rezultati domethënës i zgjedhjeve vendore në Kosovë, i ka dhënë një leksion gjithë klasës politike kosovare. Ndërkohë zgjedhjet nuk janë kontestuar nga asnjë palë. Pra, aty nuk ka patur "masaker zgjedhore" dhe ky është edhe një mësim për sjelljen opozitare këtej kufirit. Gjithashtu, uroj të jetë reflektim nga mesazhi politik i zgjedhjeve të 17 Tetorit edhe mbyllja e "dyqanit" të “Vetëvendosjes” në Tiranë./dritare.net

















