Na ndiqni edhe në

Shëndet

Vala e të nxehtit/ Si ndikojnë temperaturat mbi 40 gradë në zhvillimin e trurit të një fëmije!

Vala e të nxehtit/ Si ndikojnë temperaturat mbi 40 gradë në

Një studim i ri, i publikuar në Nature Climate Change, del në përfundimin alarmues se temperaturat ekstreme, si valët e të nxehtit ashtu edhe dimrat shumë të ftohtë, mund të kenë efekte afatgjata në strukturën e trurit të fëmijëve. Ky është një zbulim i një graviteti të veçantë duke pasur parasysh ndryshimet klimatike që ndikojnë në planet.

Studimi u krye nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal) në bashkëpunim me Qendrën Mjekësore të Universitetit Erasmus në Roterdam, Holandë (Erasmus MC) dhe Qendrën Kërkimore Biomjekësore CIBER në Madrid, informon dritare.net

Dihet se fëmijët janë të prekshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës për shkak të mekanizmave termorregulluese të trupit të tyre ende të paformuar.

Monica Guxens, studiuese në ISGlobal, Erasmus MC dhe CIBER, tha se truri i fetuseve dhe fëmijëve të vegjël është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve mjedisorë. Ka prova që ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor dhe aftësinë njohëse të fëmijëve dhe adoleshentëve. Megjithatë, deri më sot, ka pasur mungesë të studimeve që vlerësojnë ndryshimet e mundshme në strukturën e trurit për shkak të ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme. Në studimin e ri, Dr. Guxens dhe kolegët e saj u përqendruan në lëndën e bardhë të trurit të fëmijëve paraadoleshentë për të identifikuar efektet e ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme gjatë viteve të tyre të para të jetës.

Analiza përfshiu 2681 fëmijë të moshës 9-12 vjeç nga studimi i Gjeneratës R në Roterdam. Duke përdorur imazhe të rezonancës magnetike, shkencëtarët vlerësuan lidhjen e trurit duke matur difuzionin e molekulave të ujit në lëndën e bardhë. Ata përdorën gjithashtu metoda të avancuara statistikore për të vlerësuar ekspozimin e fëmijëve ndaj temperaturave mesatare mujore deri në moshën 8 vjeç. Ata më pas vlerësuan efektin e ekspozimit ndaj temperaturave të ndryshme në tru, në moshat 9-12 vjeç.

Ekspozimi ndaj të ftohtit ekstrem gjatë shtatzënisë dhe vitit të parë të jetës, si dhe ekspozimi ndaj nxehtësisë ekstreme që nga lindja deri në vitin e tretë të jetës, u shoqëruan me maturimin e vonuar të lëndës së bardhë të trurit në moshën e paraadoleshencës.

“Fijet e lëndës së bardhë janë përgjegjëse për lidhjen e zonave të ndryshme të trurit, duke lejuar komunikimin mes tyre. Ndërsa lënda e bardhë zhvillohet, ky komunikim bëhet më i shpejtë dhe më efikas.”, shpjegoi Laura Granés, studiuese në ISGlobal dhe autorja e parë e studimit. Ndryshimi i këtij parametri, shtoi ajo, është lidhur me funksionin më të dobët njohës dhe disa probleme të shëndetit mendor.

Studiuesi Carles Soriano nga CIBER theksoi se ndryshimet më të mëdha në tru shihen në vitet e para të jetës. Ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme gjatë kësaj periudhe mund të ketë një efekt afatgjatë në mikrostrukturën e lëndës së bardhë.

Analizat e mëtejshme treguan se fëmijët nga zonat më pak të privilegjuara ishin më të cenueshëm ndaj ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme, gjë që mund t'i atribuohet kushteve të jetesës dhe varfërisë energjetike të zonave të privuara. Ndër shkaqet më të mundshme për efektet janë cilësia e dobët e gjumit, ndërhyrja në funksionin normal të placentës dhe aktivizimi i boshtit hormonal që çon në prodhim më të madh të kortizolit ose procese inflamatore. Gjetjet e studimit nxjerrin në pah nevojën për strategji të shëndetit publik që do të mbrojnë grupet vulnerabil të popullsisë nga efektet e krizës klimatike, sipas Dr. Guxens./K.C/dritare.net