Nga Ermal Peçi
Sa herë afrohen festat e 28-29 nëntorit ne kemi avaze të një mentaliteti politik të vjetër. Në fakt kjo festë është një ndjenjë krenarie për çdo shqiptar, por ne kemi një problem, sipas historianëve, që akoma nuk e dinë mirë historinë e Shqipërisë ose nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Ne akoma nuk kemi një datë të përcaktuar se kur iku gjermani i fundit dhe nga iku. Ne dimë që më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali shpalli pavarësinë dhe kjo na mbush zemrën dhe shpirtin me gëzim, për një pavarësi të fituar me gjak e penë, e më pas data 29 nëntor është një sherrnajë politike që nuk ka fund.
Politikëbërësit tanë të nderuar duhet të përcjellin konsensus dhe debat konstruktiv politik, të mos merren me cic-mice pa dobi, të cilat nuk gjenerojnë zgjidhje. Atdhedashuria dhe patriotizmi, duhet të shënjojnë çdo fjalim politik, çdo vendinarrje në të mirën e qytetarëve shqiptarë, të pandikuar nga egot e sedrat partiake të lodhura e të stërkonsumuara.
Data 28 nëntor 2022 shënjoi dy ngjarje shumë të rëndësishme. Dua Lipa do të merrte pasaportën shqiptare dhe njëkohësisht do të performonte në sheshin “Skëndërbej” për 110-vjetorin e Pavarësisë. Një performancë që elektrizoi jo vetëm Shqipërinë, por edhe sytë e botës u kthyen në një moment nga vendi ynë i vogël që feston.
Shqipëria dhe Tirana festonte në ritmet e Dua Lipës, teksa në një shtet tjetër të Evropës, në atë Evropë që kemi 30 vite që duam të shkojmë edhe në çdo shesh, thërrasim “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, do të performonte Ermonela Jaho në Operën e Barcelonës.
Duhet vetëm t’i japim zë të mirës në shumë, ta bërtasim të mirën që kemi, jo vetëm të përflasim të keqen që gjendet mes nesh dhe e ka kushdo, jo vetëm shqiptarët. Ka çdo popull probleme, nuk rrinë e flasin veç për to. Kemi më shumë për të treguar për të mirën,”- thotë Ermonela Jaho në intervistën me gazetaren dhe intervistuesen e njohur, Rudina Xhunga, që do të transmetohet së shpejti në Dritare Tv.
Mjaftojnë vetëm këto dy ngjarje që Evropa të ndalojë një moment, e të flasë “Shqip” vetëm falë këtyre dy grave, dy artiste me dimensione globale të cilat me veprat e tyre i kanë dhënë shumë Shqipërisë.
Në anën tjetër klasa politike, intelektualët, kolltukofagët e Shqipërisë mund të pyesin veten: Shqipëria atyre iu dha gjithçka, por ata çfarë i dhanë?! E në fakt, nuk po i japin asgjë përtej hipokrizisë , të pavërtetave dhe vrasjes së shpresës për një të ri që kërkon të ndërtojë të ardhmen në vendin e vet. Sa herë është kjo ditë, flasin për Shqipërinë me mall, vihen në rresht se kush e puth flamurin më bukur, kush i jep më shumë pathos himnit kombëtar.
Patriotët e mëdhenj të këtij 30-vjeçari e kanë shtruar “Shqipërinë” në gostinë e tyre, e sulen se kush të marrë copën më të madhe për të ngopur barkun e tyre të pangopur. Shqipëria rrudhet e plaket, jo nga varfëria por nga hipokrizia dhe atdhedashuria fallco. Makutërisë i duhet vënë fre, mjaft ka vuajtur ky popull, popull i lashtë, inteligjent, por që ka dëshpërimisht nevojë për frymë unifikimi e jo përçarje, dashurie e jo urrejtje, punë e mundësi e jo anarki.
Shprehja thuajse biblike e John.F. Kennedy “ Mos pyet çfarë bëri atdheu yt për ty, por çfarë bëre ti për atdheun” është mesazhi i duhur sot, për njerëzit që ka nevojë sot Shqipëria , për ata njerëz të cilët kontribojnë që atdheu jonë të rimëkëmbet nga plagët e së shkuarës. Prandaj duhet nëpërmjet veprave të mira, dashurisë, duhet t’i japim zë të mirës që kemi, që ta duam Shqipërinë si Dua Lipa dhe Ermonela Jaho. Me vepra e jo me fjalë./dritare.net