Sekreti i një martese që i ka rezistuar kohës për gjysmë shekulli? Na i tregojnë Bekja dhe Arta!
Dritare.net

Historia e dashurisë 50-vjeçare e Bekës dhe Artës është e lidhur pazgjidhshmërisht me ishullin e Sazanit. Ata erdhën këtu në vitin 1971, duke nisur një kapitull të ri plot gjallëri, por edhe sakrifica. Arta kujton me nostalgji jetën e hershme, duke e përshkruar si një “kënaqësi” pavarësisht vështirësive.
Një nga sfidat më të mëdha ishte largësia e shkaktuar nga detyra ushtarake e Bekës.
“Dilte në lundrim me muaj të tëra,” thotë ajo, duke shtuar se nganjëherë kur kthehej pas një muaji, mezi e njihte nga ndryshimet. Kjo jetë në gatishmëri të vazhdueshme, mes alarmeve dhe frikës, ka lënë gjurmë të thella. Bekja e përshkruan atë kohë si një “zhurmë e madhe”, një botë urdhrash dhe veprimesh që sot është zhdukur, duke i lënë vendin një qetësie melankolike.
Të ishe gruaja e një oficeri në Sazan ishte një status i veçantë, por edhe një barrë e rëndë. Siç shprehet komandanti Bekja, të thoshe “grua oficeri në Sazan” ishte njësoj si të thoshe “heroinë”. Ai i përshkruan me admirim gratë e ishullit, të cilat përballonin jo vetëm sfidat e jetës së përditshme pa ujë e pa drita, por edhe peshën emocionale të pritjes dhe frikës. “Dallgët e detit në det na i shuanin këtu në shtëpi,” thotë ai, duke theksuar se vetëm një heroinë mund t'i kushtonte jetën në atë mënyrë familjes dhe burrit.
Cili është sekreti i një martese që i ka rezistuar kohës për gjysmë shekulli?
Për komandantin Bekja dhe Artën, përgjigja qëndron në disa parime të arta. Bekja thekson “gatishmërinë shpirtërore dhe fizike” për të përballuar sfidat së bashku, ndërsa Arta vë në pah “sinqeritetin, sigurinë, dashurinë dhe mirëkuptimin”. Këto elemente kanë krijuar një themel të fortë për familjen e tyre.
Duke bërë një krahasim me kohët moderne, Arta vëren se sot te të rinjtë sheh më shumë interes, por pranon se çdo kohë ka veçantitë e saj. Megjithatë, Bekja ka një mesazh të qartë dhe të prerë për rininë shqiptare. Ai i nxit të rinjtë të jenë patriotë jo vetëm në fusha sportive, por në jetën e përditshme.
“Të burrat që janë shqiptarë duhet të luftojnë për Shqipërinë. Me punë, me jetë, me dashuri, me sakrificë,” thotë ai me pasion, duke kritikuar trendin e largimit nga vendi. Mesazhi i tij është një thirrje për të dhënë gjithçka për Atdheun dhe për të ndier krenari për shërbimin ndaj tij, ashtu siç ai dhe brezi i tij bënë./dritare.net
