
Ekskluzive/ Armir Gjeçi, shqiptari që u bë Kapiten i Karabinierëve italianë
Dritare.net
Nga Durrësi në Itali, nga një fëmijë gjashtëvjeçar emigrant, në një Kapiten që sot komandon Karabinierët në Ivrea të Torinos. Kjo është historia e Armir Gjeçit, shqiptarit që nuk harroi asnjëherë rrënjët e tij dhe që sot kthehet çdo vit për t’u çmallur me vendlindjen.
Nga Durrësi në bregun tjetër
Armir Gjeçi lindi në vitin 1994 në Durrës. Në moshën 6-vjeçare, familja e tij u nis drejt Italisë, si shumë familje shqiptare të viteve ’90, me shpresën për një jetë më të mirë. Ai kujton se si vitet e para i kaloi mes Shqipërisë dhe Italisë, pranë gjyshërve, përpara se të bashkohej plotësisht me prindërit në Pordenone.
“Çdo vit kthehem në Shqipëri për t’u çmallur. Është vendi im, është gjuha ime, janë kujtimet e mia. Shqipëria më ka formuar dhe nuk kam si ta harroj,” rrëfen ai me emocion.
Një ëndërr e qartë: Të bëhej karabinier
Që fëmijë, Armiri kishte një dëshirë të madhe: të bëhej njeri i mirë dhe të ndihmonte të tjerët. Në Itali, këtë ëndërr e konkretizoi në profesionin e karabinierit.
“Më frymëzuan prindërit me shembullin e tyre dhe shoqëria ku u rrita. Karabinierët përfaqësonin ligjin dhe drejtësinë. Ishte rruga ime,” thotë ai.
Por rruga nuk qe e lehtë. Në vitin 2013, pas gjimnazit, konkurroi për t’u bërë oficer mes mijëra kandidatësh. Dështoi. Nuk u dorëzua. Studioi, u përgatit më fort dhe në vitin 2014 konkurroi sërish, këtë herë për konkursin e inspektorëve. Ishin 60 mijë aplikantë dhe vetëm 40 fitues. Midis tyre, edhe një shqiptar nga Durrësi – Armir Gjeçi.
Nga dështimi i parë te grada e Kapitenit
Pas fitores, Armiri kreu studimet ushtarake: dy vite në Modena dhe tre vite në Romë. Nga aty nisi një karrierë që u ngjit hap pas hapi:
• komandant flotoni në Shkollën e Karabinierëve,
• komandant i njësisë operative në Trapani,
• shërbim në Torino,
• dhe sot, komandant i kompanisë së Ivreas, me 14 stacione karabinierësh nën drejtimin e tij.
Në gradë, ai mban titullin Kapiten – një arritje që e bën krenar jo vetëm atë dhe familjen e tij, por edhe gjithë shqiptarët.
Shërbim për Italinë, krenari për Shqipërinë
“Puna jonë nuk është vetëm lufta kundër krimit. Ne shkojmë në shkolla, flasim me të rinjtë për drogën, për rreziqet e tyre, bëjmë konferenca me qytetarët dhe të moshuarit. Komunikimi me njerëzit është pjesa më e rëndësishme e punës sonë,” thotë Kapiten Gjeçi.
Ai thekson se gjatë gjithë rrugës së tij nuk ka ndjerë kurrë paragjykim për origjinën shqiptare:
“Përkundrazi, kjo më ka ndihmuar të jem shembull. Jam krenar që jam shqiptar dhe krenar që shërbej Italisë pa harruar gjuhën dhe Shqipërinë time.”
Mesazhi për të rinjtë shqiptarë
Në fund, mesazhi i tij është i thjeshtë dhe i fuqishëm:
“Mos u dorëzoni kurrë. Edhe kur humbisni, ngrihuni përsëri. Shkolla, puna dhe disiplina janë rruga drejt suksesit. Edhe emigrimi nuk është dorëzim, por një mundësi. Nëse punoni me zemër dhe përkushtim, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.”/dritare.net

















