Fermerët: Fabrikat të tregojnë origjinën e lëndës së parë
Dritare.net

Ndryshimi i propozuar nga qeveria në paketën fiskale, i cili parashikon kompensim për shitjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nuk po gjen mbështetje tek palët e interesuara, për sa kohë skema e diferencuar e TVSH-së mbetet në fuqi. Sipas tyre, modeli aktual i TVSH-së nuk i jep zgjidhje problemeve të blegtorëve. Nikolin Jaka shprehet se fermerët duhet të përfitojnë rimbursim të pakufizuar për çdo litër qumështi që prodhojnë dhe se duhet të ketë një skemë rimbursimi edhe për hektarët e mbjellë. Edhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kërkon barazim të normave të TVSH-së, pasi aktualisht fermerët shqiptarë nuk arrijnë t’i shesin produktet e tyre, ndërsa grumbulluesit nuk i blejnë dot, për shkak se TVSH-ja nuk u njihet në blerje.
Qeveria propozon futjen e kompensimit prej 10% për çdo faturë që fermeri do të marrë nga grumbulluesi, një skemë e parashikuar të hyjë në fuqi më 1 janar 2026. Por, ndryshe nga sa mendon qeveria se ky ndryshim do të ndihmojë formalizimin e tregut, blegtorët argumentojnë se problemi i tyre kryesor mbetet i pazgjidhur. Ata theksojnë se faturimi kontrollohet nga grumbulluesit, të cilët deklarojnë sipas interesit të tyre. Për këtë arsye kërkojnë që faturat për produktet që shesin t’i lëshojnë vetë fermerët, në mënyrë që TVSH-ja t’u njihet realisht. Sipas Gentjan Lalajt, një pjesë e madhe e tregtisë, sidomos në qumësht, kryhet pa faturë, ndërsa autofaturimi është kthyer në instrument abuzimi, pasi përpunuesit e përdorin për të rregulluar bilancet sipas nevojës së tyre. Lalaj thekson se fermerit duhet t’i njihet TVSH-ja në sistem për çdo produkt të shitur dhe, nëse shteti synon të japë një subvencion prej 10%, ai duhet t’i shkojë drejtpërdrejt kundrejt faturës që lëshon vetë fermeri.
"Ne kërkojmë një barazim TVSH-je sado që të vendoset 20 me 20, 10 me 10, pesë me pesë sepse ne sot gjendemi në realitetin që fermerët shqiptarë që prodhojnë misër, nuk na i shesin dot produktet e tyre, sepse dhe ne nuk mund t'i blejmë dot. Nuk i blejmë dot për arsye sepse, ne nuk na njihet TVSH. Shitja e qumështit deri në 70% ndodh pa fature, pasi autofatura është një abuzim ndaj fermerit që përpunuesi e pret, kur e ku i duhet, sa i duhet me çmimin që i duhet, për të rregulluar bilancin e tij mujor apo vjetor apo për të qenë në rregull me veten e vet. Ta faturojë vetë fermeri misrin, elbin apo qumështin qoftë t'i njihet në sistem TVSH-ja dhe nëse shteti mendon që duhet të ketë një subvencion 10% le t'ia japi direkt kundrejt faturës që fermeri lëshon.”, u shpreh Lalaj.
Edhe Eduart Sharka paralajmëron se, pavarësisht interesit të fermerit për të marrë faturën që i jep të drejtë për kompensim, tregtarët nuk do të jenë të gatshëm të lëshojnë fatura, duke krijuar konflikte në treg.
"Pavarësisht se fermeri do të jetë i interesuar për faturën që të marrë kompensimin prej 10%, një tregtar nuk ka për ta dhënë faturën, do të dëgjoni që do të ketë shumë konflikte”, tha Eduart Sharka.
Në situatën aktuale, grumbulluesi që blen produkte nga fermeri ka TVSH 0%, ndërsa në shitje ka TVSH 20%. Kjo do të thotë se ai nuk përfiton rimbursim dhe përfundon duke paguar TVSH të plotë për produktet vendase, gjë që e bën më pak të leverdishëm blerjen e prodhimit vendas. Ndërkohë, për produktet e importit, si në blerje ashtu edhe në shitje, TVSH-ja është 20%, duke i bërë ato më konkurruese dhe duke favorizuar importin ndaj prodhimit lokal. Për shkak të këtij diskriminimi financiar, përfaqësues të sindikatës deklarojnë se pas shumë vitesh përpjekjesh, rruga e vetme që u ka mbetur është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat kërkojnë gjithashtu më shumë transparencë nga fabrikat e përpunimit të qumështit, sidomos në rastet kur lënda e parë vjen nga importi. Duke qenë se fabrikave u lejohet të blejnë qumësht nga Serbia, Maqedonia apo Hungaria, ato duhet ta deklarojnë qartë në etiketë origjinën e produktit, në mënyrë që konsumatori të dijë se nga vjen lënda e parë e përdorur në produkt.
Ndërkohë, Ministria e Financave vazhdon të mbështesë skemën e re të kompensimit të TVSH-së, duke argumentuar se ajo është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe se nga kjo skemë përfitojnë drejtpërdrejt rreth 111 mijë fermerë./K.C/dritare.net