Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun!

Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat

Në Kuvend po zhvillohet seanca maratonë për raportin e qeverisë dhe të komisionit të jashtëm të PE për procesin e integrimit. Pavarësisht kritikave dhe përplasjes për ecurinë e negociatave palët kanë dakordësuar një pr.rezolutë të përbashkët, që pritet të miratohet pas debatit që do të zgjasë 5 orë.


Opozita kritikoi raportin vjetor të qeverisë, duke thënë se është i dobët dhe nuk ka adresuar çështjet kryesore, si bllokimin e negociatave, sipas tyre për shkak të Ballukut, apo rekomandimet e OHIDR. Partia Demokratike kërkoi në sallë të kryenegociatores Majlinda Dhuka dhe të kryeministrit Rama i cili ndodhet në Gjermani.


“Kryeministri nuk është një influencer. Qenia në pushtet nuk matet me sa gjatë ai flet në TV, por sa pranon parlamentarizmin dhe kontrollin që pakica ka mbi shumicën”, tha Jozefina Topalli.

Të thërrasim kryenegociatoren, të dëgjojmë kryeministrin dhe ata që e kanë përgjegjësi për të raportuar. Nëse integrimi është prioritet, atëherë kjo duhet të reflektohet këtu në parlament dhe fatkeqësisht nuk po ndodh”, tha Tabaku.


Kreu i PD, Sali Berisha iu rikthye sërish akuzave ndaj mazhorancës se e bllokoi procesin e integrimit me votën për të mbrojtur Belinda Ballukun.

“Dosja Balluku dhe AKSHI qarkullon në mbarë Europën. Edi Rama u detyrua t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut kur ajo nxori gjithë dosjet që disponon për Edi Ramën dhe hodhi në kosh të plehrave mantrën e reformës në drejtësi, i mbylli dyert prokurorit. Ju që flisni sot për integrimin, o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun? Ccfarë do të diskutoni sot? Ju e keni hipokrizi integrimin. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”, tha Berisha.
Por, ministri i jashtëm tha se KE ka hartuar raport pozitiv për Shqipërinë dhe tashmë është në dorë të vendeve anëtarë diskutimi për piketat e ndërmjetme, duke hedhur poshtë akuzat për bllokim.

“Ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare”, tha Hoxha.
Në rend ditë janë parashikuar edhe 6 interpelanca, me zv.kryeministren Koçiu dhe me ministrat Malaj, Demo dhe Lamallari. Ndërsa, një kërkesë e PD për interpelancë me Ramën për projektin ‘Smart City’ u rrëzua.