Vrasja e Alex Pretti nga agjentët e emigracionit, protesta masive në SHBA
Dritare.net

Vrasja e Alex Pretti nga agjentët e emigracionit shkakton protesta masive në SHBA
Agjentë federalë të emigracionit në Shtetet e Bashkuara kanë vrarë një burrë në Minneapolis, duke nxitur protesta të ashpra dhe reagime të forta politike në mbarë vendin. Viktima është identifikuar si Alex Pretti, 37 vjeç, infermier i kujdesit intensiv.
Qindra protestues sfiduan temperaturat e ulëta dhe dolën në rrugë për të protestuar kundër vrasjes, e cila ndodhi gjatë një përplasjeje me agjentët federalë të shtunën. Ngjarja shënon vrasjen e dytë nga agjentët e emigracionit në qytet brenda më pak se tre javësh.
Versione të kundërta për ngjarjen
Administrata Trump pretendon se Pretti iu afrua agjentëve të ICE me një armë zjarri dhe, pasi rezistoi në mënyrë të dhunshme për t’u çarmatosur, një agjent i Patrullës Kufitare hapi zjarr në vetëmbrojtje. Zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare e kanë cilësuar atë si “terrorist të brendshëm”.
Megjithatë, pamjet video nga vendi i ngjarjes nuk mbështesin këto pretendime. Ato tregojnë Prettin duke filmuar me telefon, teksa ndërhyn mes një agjenti dhe disa grave, përpara se të spërkatet me spraj, të përplaset në tokë nga disa agjentë dhe të qëllohet. Në video duket se arma hiqet nga përleshja vetëm pak çaste përpara se të hapet zjarri.
Reagime të forta politike
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, e ka hedhur poshtë versionin federal, duke e quajtur atë “gënjeshtër”. Ai kërkoi tërheqjen e menjëhershme të agjentëve të ICE nga shteti dhe u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë.
Edhe kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, kërkoi ndalimin e operacioneve të ICE, duke pyetur: “Sa qytetarë të tjerë duhet të vdesin që kjo të marrë fund?”
Presidenti Donald Trump, nga ana tjetër mbrojti veprimet e agjentëve federalë.
Protesta në mbarë vendin
Në Minneapolis, qindra njerëz ndezën qirinj dhe brohoritën emrin e Prettit pranë vendit ku ai u vra. Gjatë ditës, protestat u përshkallëzuan, ndërsa agjentë të armatosur dhe të maskuar përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.
Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera si Nju Jorku, Çikago, Los Anxhelos dhe San Francisko, me pankarta që mbanin mesazhe si “Drejtësi për Alex” dhe “Shfuqizoni ICE”.
Kush ishte Alex Pretti?
Pretti ishte një qytetar amerikan, pronar i ligjshëm i një arme dhe pa precedentë penalë, përveç shkeljeve të vogla rrugore, sipas policisë lokale. Prindërit e tij e përshkruan si një “djalë zemërmirë” që donte të “bënte ndryshimin” dhe kërkuan që e vërteta për vdekjen e tij të dalë në dritë.
Ngjarja ka rikthyer debatin mbi kompetencat dhe përdorimin e forcës nga agjentët e emigracionit, në një klimë tashmë të tensionuar nga operacionet federale kundër emigracionit të paligjshëm në shtetet e drejtuara nga demokratët./L.F-dritare.net