Protesta kundër resortit në Zvërnec, Rama: Është bekim për Shqipërinë
Dritare.net

Teksa në Tiranë protestuesit janë mbledhur për të kundërshtuar investimin për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, kryeministri Edi Rama, gjatë festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Vlorë, e cilësoi projektin si një mundësi të madhe zhvillimi për vendin. Rama deklaroi se investimi prej 4 miliardë dollarësh do të sjellë përfitime të shumta për ekonominë shqiptare dhe do të ndikojë në transformimin e saj afatgjatë.
“Natyrisht që njerëzit e thjeshtë nuk mund të hyjnë në resorte luksoze dhe jahte, por është jahti që hyn në ekonominë e tyre. Imagjinoni ‘Porto Montenegro’ ka qenë 150 milionë euro dhe u shit te të tjerët që e morën 700 e kusur milionë euro. Tani 4 miliardë euro investim në Zvërnec të Vlorës, merreni me mend vetë se çfarë prodhon. Ai investim 4 miliardë dollarë në Zvërnec, do të jetë bekim për ekonominë e gjithë Shqipërisë. Ai investim nuk do sjellë vetëm paratë, nuk do ndërtojë vetëm vilat e hotelet, por do të sjellë një vlerë të shumëfishuar në të gjithë këta komponentë jashtë kufijve të tij. Sepse është kjo që transformon me themel ekonominë, jo ëndrrat e varfra.
Vendet ngecin jo kur kanë varfëri në lekë, por varfëri në ëndrra. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga njerëz që janë të varfër në ëndrra dhe të pangopur në interesat e tyre. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga sharlatanë dhe delirantë, që thonë ‘ky vend është vetëm i juaji’. Kështu u thoshte edhe Hitleri gjermanëve. Kjo do të thotë t’i bësh thirrje nxitjeve më të zymta të racizmit, të vetëizolimit dhe t’i bësh thirrje humnerës. Nuk kanë bërë hajër kurrë në histori popujt që udhëhiqen nga sharlatanizma të tilla. Shqipëria ka nevojë për respekt, edhe për zërin e hoxhës, edhe për zërin e priftit”, tha Rama.