Sali Berisha njofton heqjen e non gratës. SHBA asnjë konfirmim zyrtar
Dritare.net

Partia Demokratike ka njoftuar se Departamenti amerikan i Shtetit ka hequr non gratën e vendosur ndaj Sali Berishës në vitin 2021 nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, me argumentin e përfshirjes në korrupsion dhe minimit të demokracisë. Deri tani, nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar nga Departamenti i Shtetit apo Ambasada e SHBA-së në Tiranë që konfirmon këtë zhvillim.
Sipas raportimeve jo zyrtare vendimi i është komunikuar ish-kryeministrit nëpërmjet një bisede telefonike me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
I pyetur nga gazetarët pas mbërritjes në Kuvend, Berisha nuk dha asnjë koment. Megjithatë, kur hyri në sallën plenare, deputetët demokratë e pritën me duartrokitje. Më pas, nga foltorja e Kuvendit, ai u shpreh shkurt: “Unë erdha. U krye!”.
Duke folur para gazetarëve jashtë sallës së Kuvendit, Berisha deklaroi se kishte pasur një komunikim zyrtar për këtë çështje, por nuk dha detaje të mëtejshme dhe nuk iu përgjigj pyetjes nëse masa ishte hequr edhe për bashkëshorten e tij, Liri Berisha, si dhe për fëmijët, Shkëlzen Berisha dhe Argita Malltezi.
“Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata. Ka pasur një sanksion për hyrjen në SHBA. Sot unë them: u ktheva”, deklaroi ai.
Pavarësisht njoftimit të Partisë Demokratike, deri në këtë moment mungon një konfirmim publik nga autoritetet amerikane lidhur me heqjen e sanksionit ndaj Berishës dhe familjarëve të tij./L.F-dritare.net