Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Një ditë në rrugën e qumështit!

Një ditë në rrugën e qumështit!

Intervistë me Antoneta Ndrekën, drejtore prodhimi te LUFRA

Rudina Xhunga: Intervistë në një dhomë me djathë kaçkavall nuk kam bërë asnjëherë. Madje nuk donin ta bënim këtu, por unë këmbëngula sepse vdes për djathë kaçkavall. Nuk jam e vetmja besoj.

Antoneta Ndreka: Edhe unë e kam shumë qejf.

Rudina Xhunga: E kam ngrënë shumë qëkur linda vajzen. Që atëherë i them vetes: “Do të shëndoshesh, mos ha!”

Antoneta Ndreka: Çdo gjë që e ha me shumicë të shëndosh. Ka një kriter për të gjitha.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Ju nuk mburreni me djathin kaçkavall, cilin keni më të rëndësishëm, qumështin, gjalpin, djathin, apo kosin?

Antoneta Ndreka: Prodhimi bazë i yni ka qenë qumështi i pasterizuar dhe kosi. Pastaj këto janë nënprodukte të qumështit, djathi, gjalpi, gjiza, dhalli dhe të tjera. Por prodhimi kryesor që ne kemi është qumështi. Për periudhën e verës kur ne nuk kemi ku e gjejmë qumështin, në këtë kohë e kemi si magazinë qumështi kaçkavallin. Gjatë gjithë kësaj kohë të dimrit ne prodhojmë kaçkavall dhe në periudhën qershor, korrik, gusht, shtator, deri sa mbaron stina e verës, nuk prodhojmë më kaçkavall, por këtë qumësht pastaj e bëjmë dhallë, kos, produkte që ecin gjatë verës.

Rudina Xhunga: Sot që në mëngjes, ai momenti te pika e grumbullimit, që mua m’u duk shpejt, atyre që sjellin qumështin iu duk vonë, kur ata sillnin qumështin që ishte i ngrohtë, ishte bukur. Kaq kohë gazetare dhe nuk e dija që qumështi i sapomjelë është i nxehtë.

Antoneta Ndreka: Qumështi del në temperaturën e lopës.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Unë thashë pse e kanë zier?

Antoneta Ndreka: Qumështi del në temperaturën e lopës që është 36-37 gradë. Sa vjen qumështi e hedhim në një tanker ftohës. Kur shkon makina qumështi është gati.

Rudina Xhunga: Po ata bidonët e aluminit ku i gjejnë fermerët? Unë mendoja me shishe, bidonë.

Antoneta Ndreka: Pothuajse të gjithë ata që kanë miniferma, janë të pajisur me makineri mjeljeje. Kanë dhe bidonë të tillë. Pastaj avash-avash dhe ne kemi filluar të japim atë kulturën e punës, për heqjen e plastikës, kovat që përdoreshin dhe u kemi thënë të marrin kova inoksi, bidonë alumini, pajisje të tilla që përdoren për qumështin. Nuk po them se ka vajtur 100%, por 80% e njerëzve janë të pajisur, ata që kanë investime.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Sa ditë më pas e pi atë qumështin që unë pashë në mëngjes?

Antoneta Ndreka: Qumështi nis grumbullimin në 4 të mëngjesit. Atëherë këtu dalin 50-60 makina për njëherësh për shpërndarjen e qumështit. Qumështi u mol, grumbullohet, shkon makina e kompanisë e merr e sjell në fabrikë.

Rudina Xhunga: Që në mëngjes?

Antoneta Ndreka: Pas orës 7 nuk ka më grumbullim qumështi.

Rudina Xhunga: Pse?

Antoneta Ndreka: Sepse kanë dhe lopët një orar që milen. Mbaron orari i mjeljes dhe gjithë qumështi grumbullohet në atë periudhë. Pastaj vjen qumështi direkt në fabrikë. Pas pranimit bëhen analizat për çdo produkt, siç e kemi ne të përcaktuar bëhen testet e antibiotikut, aflatiksina.

Rudina Xhunga: Testi i antibiotikut bëhet vetëm te pika e grumbullimit, apo ribëhet?

Antoneta Ndreka: Bëhet te pika e grumbullimit, nga ai që e grumbullon. Por për siguri ne kemi laboratorin tonë dhe e bëjmë çdo ditë. Nuk hyn asnjë produkt pa u bërë analizat. Sepse njëherë të të shpëtojë ty të del 1 kuintal qumësht me antibiotik ku ta çojmë pastaj?

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Bën analizën, pastaj gjithë procesi që ndodh këtu?

Antoneta Ndreka: Pas analizës hyn i gjithë qumështi dhe ndahet në degëzimet e duhura. Një pjesë shkon për qumësht të pasterizuar, një pjesë për kos, një për dhallë, varet sipas proceseve.

Rudina Xhunga: Këto ndahen në bazë të cilësisë së qumështit?

Antoneta Ndreka: Këto ndahen në bazë të produkteve që ne kemi. Mundohemi që qumështi të ketë një cilësi. Qumështin me antibiotik nuk e marrim fare. Shikohet qumështi mos ka aromë.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Një pyetje shumë naive, çfarë do të thotë qumësht me antibiotik?

Antoneta Ndreka: Lopët zakonisht mjekohen. Kur është sëmurë ti e mjekon. Edhe gjatë bërjes së antibiotikut, por edhe pasi e ka mbaruar, 6-7 ditë mbrapa lopa shkarkon antibiotik në qumësht. Dhe ky qumësht nuk është i mirë për shëndetin. Sepse ti po e merr antibiotikun kur nuk ke nevojë. Unë po të jap ty në një farë mënyre antibiotik kur ti nuk ke nevojë. Kur ke nevojë për antibiotik, nuk të bën më efekt, sepse ti ke krijuar imunitet ndaj tij.

Rudina Xhunga: Kjo është gjëja kryesore që ju shikoni te qumështi i tyre?

Antoneta Ndreka: Qumështi ka shumë parametra që shikohen. Nga cilësia si parametra fiziko-kimike, test antibiotiku, ngarkesë bakteriologjik, freskia e qumështit që bëhet me testin e alkoolit. Ka shumë parametra që ndiqen. Por kryesoret janë, aflatoksinë, antibiotik dhe analiza mikrobiologjike.

Rudina Xhunga: Pasi mbaron procesi i analizës, ku futet qumështi?

Antoneta Ndreka: Futet në pasterizim. Deri në orën 4 mbaron procesi i punës.

Rudina Xhunga: Pasterizimi është i detyrueshëm?

Antoneta Ndreka: Po. Pasterizimi vret bakteret dhe patogjenet e qumështit.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Me këto ide që kam unë për qumështin, kur thonë për shembull: “Është qumësht lope është i pastër”, ai është i papasterizuar. Domethënë është më i mirë për mua.

Antoneta Ndreka: Qumështi i papasterizuar është i dëmshëm për organizimin. Gjatë mjeljes së qumështit sado pastër të mundohet edhe ai fermeri që ka makinerinë më moderne të mjeljes, është e pamundur që qumështi të mos kontaminohet. Pasterizimi bën vrasjen e baktereve e patogjeneve të qumështit dhe ruan bakteret e mira.

Rudina Xhunga: Ai që e mjel vetë, lopën e tij, nuk e pi. E pi pasi e ke mbaruar ti procesin e pasterizimit?

Antoneta Ndreka: Edhe në shtëpi ne e ziejmë qumështin, nuk e lëmë pa zier. Zierja e qumështit është pak më e dëmshme sepse pika e vlimit është në 100 gradë, kurse pasterizimi është 85 gradë.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Mbaron pasterizimi, pastaj çfarë ndodh?

Antoneta Ndreka: Qumështi filtrohet, kullohet, kalon në pasterizim, i cili ka gjithë proceset. Ka një makineri që quhet baktifug, e cila shkarkon jashtë 95% të baktereve. Ka një programim të caktuar që sa herë mbushet brenda shkarkon automatikisht jashtë. Kjo bën pastrimin e qumështit deri në 95%, që ne në familjet tona nuk e bëjmë dot kurrë. Sado ta kullosh me napë, sepse dhe qumështi ynë kullohet, filtrohet, por kur vjen puna atje shkarkon sërish qumësht të pisët.

Rudina Xhunga: Mos e krahaso me familjen pasi nuk ndodh shumë, por me baxhot. Njerëzit kanë atë idenë: “E marr në baxho se është i freskët!”

Antoneta Ndreka: Nuk mendoj se ke parë ndonjëherë nëpër baxho baktifuge, apo kaq sterilitet dhe pastërti sa këtu.

Rudina Xhunga: Unë u habita për procesin automatik. Nuk e dija që funksiononte gjithçka në mënyrë automatike.

Antoneta Ndreka: Gjithçka është e automatizuar, sepse qumështi është shumë produkt delikat. Nëse qumështi kontaminohet, krijon probleme, ndryshon shijen, aromën, prishet. Ndërsa kur ti e ke procesin të gjithë të automatizuar, nuk je në dorë të operatorit, i ke të përcaktuara. Çdo mëngjes laborantja del dhe merr analiza, kemi një aparat në laborator që bën analizat për tre minuta, ta nxjerr me numër bakteresh. Merr mostrat, shkon në laborator, edhe nëse një kazan është me ngarkesë mbi atë që lejohet, ai duhet larë. Dhe rifillon larja e kazanit edhe njëherë që të fillojë prodhimi.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Qumështi që pashë unë në mëngjes, pasi kalon gjithë këtë proces përfshirë dhe etiketën që ishte dhe ajo automatike, në fund kur e blej unë?

Antoneta Ndreka: Nesër në mëngjes ti blen këtë qumësht që unë kam prodhuar sot. Deri tani po prodhohet qumështi,ruhet në frigoriferë, ngarkohet në kamionë, shkon në magazina në Tiranë. Pjesa tjetër për zonën e jugut ngarkohet në makina natën dhe në mëngjes i gjithë prodhimi është në treg.

Rudina Xhunga: Ti e ndan gjatë mëngjesit?

Antoneta Ndreka: Po. Të gjitha produktet vijnë me kërkesë. Pak a shumë ne e dimë sesa është tregu ynë, por çdo ditë vjen kërkesa nga agjentët. Kur mbarojnë shitjet, japin kërkesën. Duhet kaq qumësht, kaq kos, djathë, gjalpë, dhallë, gjithë prodhimi.

Rudina Xhunga: Si ka mundësi që në këtë kohë kur frika ishte e madhe se mund të ndalonte prodhimi, si ia bëtë që vazhduat? Si ia bënë fermerët?

Antoneta Ndreka: Fermerët nuk e ndalojnë dot punën sepse lopa do mjelë, do të hajë, do pastruar, ashtu si në bujqësi. Lopa do të hajë edhe në dhjetor, do mbjellë misri, do mbjellë gruri, gjithë produktet që duhen mbjellë tani. Problemi kryesor është t’u mbushet mendja atyre skeptikëve që thonë: “Ku e gjeni qumështin?” Ju patë disa nga fermat, por si këto fermat e vogla, nuk po e them si e madhja se janë pak si ajo, janë formuar shumë. Mund të them që vetëm me ne punojnë 300, 400 ferma të vogla që kanë nga 15 lopët deri në 80-100.

Rudina Xhunga: Nga gjithë Shqipëria?

Antoneta Ndreka: Po. Dhe jo ka qumësht, por në këtë periudhë ka superprodhim. Prandaj unë po punoj gjithë këtë kaçkavall. E punoj tani dhe e kam për verë. Duhet të kemi cik më shumë besim te produkti vendas. Këtu është dëmtuar besimi te produkti vendas.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Kush e dëmtoi, ju apo ne? Ne gazetarët, apo të gjithë ata që prodhojnë shqip.

Antoneta Ndreka: Mendoj se ju, sepse gjithë lajmet që publikohen, dalin pa ardhur dhe pa e parë se çfarë bëhet. Unë jam shumë dakord, ti nxirr një lajm për Lufrën, por ama verifikoje, është e vërtetë kjo që po thua, jo merr copy-paste.

Rudina Xhunga: Jo nuk ka të bëjë vetëm me gazetarët. Për shembull, përtej të qenit gazetare unë jam nënë dhe them: “T’i jap unë fëmijës tim këtë djathë, ose këtë qumështin që është industrial, ndërkohë më mund të marr në një vend që është bio.”

Antoneta Ndreka: Do të përgjigjem me një pyetje. Tani që e pe se çfarë bëhet, çfarë mendon?

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Për mua Lufra je ti? Fytyra e Lufrës je ti. Por nuk mund ta kenë të gjithë shansin të vijnë këtu dhe ta shikojnë.

Antoneta Ndreka: Ne kemi lënë të hapur, kemi shkruar edhe në Facebook, Instagram që kush ka dëshirë të vijë dhe ta bëjë vizitën vetë, ai që skepticizmi që thotë se nuk është produkt i mirë, të vijë. Djathi që prodhohet si mund të jetë industrial. Merret qumështi, i hidhet fara e djathit, mpikset, kullohet dhe bëhet djathë. Njëlloj si ai që ti bën me napën tënde në shtëpi. Këtu nuk e bën me napë, nuk e zien me tenxhere, e pasterizon në kazanë të cilët janë sterilë sepse kanë larje automatike, e bën në forma të cilat janë sterile sepse janë larë përpara se të bëhet. Ke dhe pjesën tjetër që këtu bëhet analizë produkti çdo ditë para se të dalë në treg. Po nuk doli analiza ne nuk e nxjerrim produktin në treg. Siç e pe këtu që thashë këto kanë marrë mostra e kanë prerë djathin, të gjitha laborantja me menaxheren e cilësisë çdo ditë marrin mostra për kripën, për ngarkesën bakteriale, për PH çdo gjë kontrollohet. I sheh gjithë këto letra që janë këtu, shënohet çdo ditë data e kriposjes, data që ka hyrë brenda, data e larjes, sa ditë ke brenda. Ke një datë për shembull që thotë 06.04. Ky djathë është prodhuar më 06/04 dhe ndiqet gjurmuesshmëria. Unë di që më datë 06.04 unë kam prodhuar djathë kaçkavall, me qumështin e Rudinës, të cilin e kam marrë filan datë në fermë, dhe fermën ku e kam marrë. Nëse unë kam ndonjë probleme me djathin kaçkavall në treg, unë kthehem mbrapa dhe e di se ku e kam marrë, këtë qumësht. Atë që kërkon dhe sot AKU-ja, gjurmuesshmëria e produktit.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Si ka mundësi që e njeh mirë gjithë rrugën e qumështit tënd.

Antoneta Ndreka: Sepse që nga dita e parë që kam filluar fabrikën çdo proces punë që bëhet ka kaluar njëherë në duart e mia, pastaj kemi kaluar bashkë me operatorin. Nuk ka proces pune këtu që të mos e njoh unë.

Rudina Xhunga: Mos më thuaj që di edhe të mjelësh lopë?

Antoneta Ndreka: Po, kam mjelë. Kam pasur lopë për shumë kohë dhe nuk e kam për turp ta them. Kam pasur në vitet e para, deri sa arrija ta menaxhoja, kisha një lopë në shtëpi, pastaj duke filluar që po prodhonim qumësht të pasterizuar edhe produktet vetë ishte e pamundur që ta mbaja më.

Rudina Xhunga: E ke nisur që aty?

Antoneta Ndreka: Po.

Rudina Xhunga: Si erdhe deri këtu?

Antoneta Ndreka: Me shumë punë dhe shumë sakrifica. Të të them që mund të kem fjetur për vite të tëra 3 orë gjumë. E di që njerëzit do të thonë: “Po na thotë kjo përralla.” Binim në 12, sepse kisha dy fëmijë të vegjël dhe dy pleqëri dhe ngriheshim ne tre të natës sepse ikte qumështi i freskët, i sapombledhur. Atëherë fermeri e sillte qumështin në orën 3 të natës, sepse ishin grumbullime të vogla, nga 10-20 kile. Mbusheshin bidonët dhe ikte makina në 3 të natës. Im shoq edhe shtrihej ndonjëherë 5 minuta, kurse unë do të filloja të rregulloja mëngjesin për fëmijët do të kontrolloja dhe atë lopën. Pastaj do të bëhesha gati për të ikur në punë. 3 orë gjumë për vite të tëra. Gjumin e drekës nuk e imagjinoja dot.

Rudina Xhunga: Tani e ke rregulluar gjumin?

Antoneta Ndreka: Më mirë. Kam krijuar një staf, menaxhere prodhimi, menaxhere cilësie, shefa repartesh, laborante.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Mua më duket sikur ti i kontrollon të gjitha. Ti je që nga mëngjesi këtu.

Antoneta Ndreka: Unë në mëngjes jam e para që çohem. Në 06:30 unë jam në fabrikë, e veshur me përparëse, uniformë dhe dal nga fabrika kur dalin punëtorët. Përveç ditëve kur më duhet të jem jashtë për punë të ndryshme që mund të kem.

Rudina Xhunga: Kur e merr kënaqësinë më të madhe? Kur të thonë çfarë për prodhimin.

Antoneta Ndreka. Kur më thonë më kënaqe me atë kosin e Lufrës. Për shembull një shoku ynë na tha: “Ah me atë kosin e lëngshëm sa na ke kënaqur!” Kjo është kënaqësia ime. U them dhe punëtorëve: “Nuk kënaqeni ju kur e shihni produktin që del ashtu i bukur?” Dhe mërzitem shumë kur më del produkti keq, kur që s’më hyn në sy ajo që dua të arrij të bëj.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: E ke mbyllur këtu, apo mendon se do të zhvillohesh në produkte të tjera?

Antoneta Ndreka: Patjetër! Unë kam punuar shumë fort të vij deri këtu. Por nuk kam punuar vetëm te fabrika, kam punuar edhe me fëmijët e mi që të vinin deri këtu. Fëmijët e mi kanë punuar që të vegjël, i kam futur në punë, i kam çuar për të pritur paketimin e dhallit, i kam çuar në grumbullim qumështi, i kam çuar në shitje.

Rudina Xhunga: Si i bindje? Si ia bëje.

Antoneta Ndreka: Avash, avash. U thosha: “Nuk më duhet një punëtor për atje se s’kam lekë ta paguaj, do vesh t’i presësh ato se do të marrë kaq lekë, do t’i marrësh ti ato lekë?” I jepja ndonjë lekë. Kur i çoja që shisnin në treg dhe kur vinin nga andej i shihja shumë të kënaqur: “Kemi shituar kaq, kemi bërë kaq e aq.”,- më thoshin dhe u hyri puna në qejf. I ati ishte shumë i prerë, asnjëri nuk e kundërshtonte. Në qoftë se ai do t’i thoshte: “Ti do të shkosh këtu!”, do të shkonte se s’bën dhe e dinin ishte rregull që, po tha babi, mos e kthe fjalën mbrapsht më.

Rudina Xhunga: Kështu që tani, dy çunat e babit dhe mamit, janë vazhdimësia e Lufrës, jo vetëm emri.

Antoneta Ndreka: Janë emri dhe vazhdimësia e Lufrës. Të dy djemtë janë të futur krejtësisht në punë. Deri dje u kërkova unë llogari atyre për punën, tani më kërkojnë ata mua. Sepse kanë futur sisteme të reja. Kryesorja është se kanë futur mendësi të re. Edhe mua ma kanë ndryshuar mendësinë. Isha mësuar të punoja unë, t’i bëja të gjitha unë, nuk delegoja punë, tani më thonë: “Po delegoja moj mami, ki besim më shumë te njerëzit!” Edhe kam filluar, kam ndryshuar edhe unë.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Zhvilloi mami fëmijët dhe pastaj fëmijët mamin. Dhe pastaj nga familja juaj e Lufrës, erdhët te të gjitha familjet tona. Ju jeni një prej produkteve me më shumë sasi në treg.

Antoneta Ndreka: Mendoj se jemi edhe më cilësorët në treg. Sepse kemi investime të teknologjisë së fundit, nga firma me emër në Evropë. Na kanë mbledhur shumë trajnimet që kemi bërë me USAID-in, në periudhat ’94-95. Trajnimi i parë që unë kam bërë ka qenë në Bullgari dhe atje i vihej një theks i jashtëzakonshëm lëndës së parë. Pa një lëndë të parë cilësore ju nuk mund të bëni një produkt cilësor. Sa kemi ardhur kemi folur me tim shoq, kemi bërë revolucion në lëndën e parë. Kemi marrë veterinerë, njerëz që kujdeseshin për lëndën e parë.

Rudina Xhunga: Si gjenden lekët kur ke për të bërë të gjitha këto, kur ke vetëm dëshirën?

Antoneta Ndreka: Pak nga pak. Fito këtu, hidh atje. Gjatë gjithë jetës, ti vetëm investon për atë që bën. Biles i thosha tim shoqi: ”Aman se na i bëre të gjitha llac e tulla.” “Dhe kjo dhe s’ka më.”, thoshte. Dhe kur vinte puna fillonte prapë e prapë. Çdo gjë nga e para. Por nuk bëhen të gjitha vetëm, normalisht që duhet ndihmë.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Po njerëzit që të ankohen? Ka njerëz që me fotografi të thonë: “M’u prish kosi, m’u prish qumështi. Ke bërë këtë gabim.”

Antoneta Ndreka: Ka dhe nga ata. Jo më shumë se dje, unë kisha njërin që ishte data 27 që kishte skaduar, kishte një muaj produkti në treg dhe ma nis mua: “Më është prishur kosi.” Ti e pe sesi është zinxhiri këtu te ne, frigoriferët janë nga dy gradë. Ka dhe markete pastaj që nuk e trajtojnë mirë produktin dhe ndodhin dhe probleme të tilla. Duhet të jemi realistë, që produktet e qumështit janë produkte të freskëta dhe që prishen, nuk janë prej guri. Një produkt i fermentuar normalisht do të prishet nëse nuk ruhet në kushtet e duhura. Nëse nuk ka temperaturën e duhur do të degradojë, do të thartohet, do të krijojë myk, do të ketë probleme të tjera.

Rudina Xhunga: Cilat janë vendet jashtë që ke marrë më shumë, ke mësuar më shumë?

Antoneta Ndreka: Në çdo vend ku kam vajtur kam mësuar diçka. Për periudhën e parë i shikonim me habi sepse ata ishin shumë përpara nesh. Kurse sot në çdo vend ku shkoj, unë i kap me sy gjërat, ngaqë e njoh procesin e prodhimit, i kap gjërat me sy.

Rudina Xhunga: Besoj edhe të huajt vijnë trajnojnë këtu.

Antoneta Ndreka: Patjetër! Neve gjatë gjithë kohës kemi marrë njerëz nga jashtë që na trajnojnë. Kemi marrë një profesor gjerman, i cili kishte 30 vjet eksperiencë dhe kishte dalë në pension. Kemi marrë shumë nga ai. Kemi marrë njerëz edhe për të rritur stafin, për të trajnuar stafin që është marrë me organizimin, krijimin e strukturës, sepse kemi qenë unë dhe menaxherja e prodhimit, kurse tani është krijuar një strukturë janë ndarë dhe detyrat, çdo gjë kontrollohet sipas detyrave që janë lënë. Kemi një partnerin tonë italian që na vjen pothuajse çdo muaj na shikon produktet. Sa herë që vjen, më thotë: “Hë çfarë do të më thuash tani.” Ose kur kemi ndonjë problem e marrim në telefon dhe i themi: “Ore na ka ndodhur diçka, çfarë shpjegimi ka?” është shumë i gatshëm të na ndihmojë. Kam parë në Kosovë që e kanë shumë të zhvilluar pjesën e produkteve vendore, në Shqipëri nuk është.

Rudina Xhunga: Ç’domethënë? E pëlqejnë produktin vendor?

Antoneta Ndreka: Edhe reklamat që i kanë, janë patriotë për produktin e tyre. Në Shqipëri nuk e shoh këtë pjesë. Por do të ishte mirë që edhe në të ishim pro produkteve tona.

Rudina Xhunga: Do e ndryshojë ndopak kjo koha post-Covid?

Antoneta Ndreka: Mendoj që po. Sepse po shikoj se të gjithë kishin idenë: “Ku e gjeni qumështin? Ku e bëni qumështin? Ka dy muaj që është mbyllur gjithçka. Nuk po tregtohet.” Ne po shkojmë çdo ditë në treg, nuk po rrimë pa e çuar qumështin. Biles kam shkruar edhe në Facebook: “Mos u trembni sepse produktet e qumështit do të jenë çdo ditë.” Ne çdo ditë do të mjelim lopë dhe çdo ditë do të marrim qumësht, s’kemi ku ta çojmë po nuk e shitëm.

Një ditë në rrugën e qumështit!

Rudina Xhunga: Gjërat janë shumë të qarta tani. Nuk ke më ç’frikë të kesh. Përveç se ta duash Lufrën.

Antoneta Ndreka: Duhet ta duam më shumë produktin vendas. Duhet ta blejmë. Nuk po them blini Lufra. Blini produkte brandi, sepse duhet të ketë një emër. Pas atij emri gjithkush nuk do ta hedhë punën e tij poshtë. Nëse unë si Lufra do të prodhoj një produkt jocilësor, ti do ta blesh një herë, po herën e dytë nuk e blen. Unë jam shumë më e interesuar sesa ti që ta prodhoj këtë produkt cilësor, që ti ta pëlqesh dhe ta blesh prapë nesër.

Rudina Xhunga: Rruga juaj e qumështit sa vjet ka?

Antoneta Ndreka: Qysh në ’92-shin. Po bëjmë gati 28 vjet.

Rudina Xhunga: 28 vjet. Në ’92-shin kur të gjithë donin të iknin jashtë, ju ndenjët këtu dhe ngritët perandorinë e qumështit.

Antoneta Ndreka: Pak nga pak. Filluam me grumbullim, pastaj me prodhimin e djathit. Dhe kur mësuam djathin m’u duk sikur sa shumë kisha mësuar. Por pastaj nga trajnimet që bënim, e pashë që isha zero në fushën e qumështit. Nuk njihja asgjë. Pastaj filluam investuam për veten tonë, për trajnime. Shkonim jashtë dhe sa herë shkonim, sillnim diçka të re.

Rudina Xhunga: Kanë ndryshuar kohërat.

Antoneta Ndreka: Shumë, ajo kohë ka ndryshuar 100%.

Rudina Xhunga: Gjithsesi, ajo lopa që paske mjelë atëherë është logoja juaj më e bukur./dritare.net

Një ditë në rrugën e qumështit!