Nga Prof.As.Dr.MSc Artan Xh. Duka
Dora e lirë e “Iparit”!
Qeveria ndryshon kur diçka nuk funksionon apo ka sfida të reja e duhen më të zot. Nuk bëhet për modë apo trill dhe nëse për të thyer monotoninë, i pari që duhej të hapte krahun është Rama kaq-vjeçar!
Meqënëse sfidat qeverisëse janë po ato (reformat e integrimi europian), i bie që të jetë përgjegjshmëria në qeverisje. E nëse kështu, nëse ka patur probleme për të cilat koha apo SPAK do tregojnë, përgjegjësi politike ka edhe vetë i pari i qeverisë. Por, “topi është i imi… penalltinë do e gjuaj unë” u bë kjo punë dhe për momentin nuk na mbetet veç t’u urojmë punë të mbarë ministrave të rinj.
Ndryshimet e fundit në qeveri risollën ndërkohë në vëmëndje si diskutimet rreth arbitraritetit e dorës së lirë atje lart ashtu dhe retorikën butaforike të meritokracisë e teknokratëve në qeveri, gjë që u pasqyrua edhe në tituj mediatik.
Meritokracia është një fjalë e madhe në vetvete dhe ndonjëherë synon shmangjen e komenteve por ajo është prapë e interpretueshme sidomos kur raporti i saj me qeverisjen pështjellon vetë raportin e qytetarit me politikën.
Manteli politik i ministrit
Përtej emrave të përveçëm, të cilët pavarësisht së djeshmes janë të paprovuar në atë post, diskutimi sillet rreth raportit qeveri-politikë. Qytetari voton dhe pret të drejtohet nga ata që voton për t’i gjykuar dhe vlerësuar po me votë më pas.
Ministri është në parim një post politik dhe politikani i votuar nuk duhet t’i bëjë bisht përgjegjësisë. Kjo nuk bie ndesh me parimin e meritokracisë sepse meritokrati nuk është e thënë të jetë domosdoshmërisht një teknokrat në të shkuarën e tij dhe ky është rasti më tipik i caktimit të ministrave në qeveri.
Prania e meritokratëve-burokratë të pavotuar në poste qeverie është indirekt pranim i dështimit të politikës në ato poste. Postet lypin përgjegjshmëri politike dhe aty duhet politikani ndërkohë që meritokrati-burokrat ka hapësirat e tij nga zv/ministra, këshilltarë, burokratë etj. Ndryshe, triumfi i meritokracisë-burokratike në qeveri nuk është veçse zbythje e vullnetit politik.
“Autokraci” në emër të “meritokracisë”!
Nga ana tjetër, qasja gjë-a-gjëzë e shpalljes së ndryshimeve në qeveri, mungesa e arsyetimeve etj, nuk është shëmbull tejdukshmërie politike për të ardhmen. Partia ka kryetar, kryesi, ansamble, anëtarë etj dhe e mira e do që të zgjerohet rrethi i mendimit për prurjet që koha dikton.
Bie në sy dhe kjo nuk është risi për politikën, katapultimi i emrave dhe rrethi i vogël i mbyllur i vendimmarrjes përkatëse, një karshillëk ky ndaj strukturave dhe anëtarëve të partisë. Një lloj “autokracie” partiake që sot për ironi komentohet e përgëzohet për qasje meritokratike në formimin e qeverisë së re!
Kjo qasje “autokratike”, ku gjërat mbahen pezull në ajër dhe e vetmja gjë e sigurtë është i pari lart e rrethi i tij, kur bëhet huq me vite e mandate, nëpërkëmb thelbin e rrotacionit demokratik në parti, krijon kulte e idhuj, oborrtarë e servilë duke shkurajuar dhe nëpërkëmbur ambicjen e shpresat e individëve për t’u marrë apo qëndruar në politikë e synuar karrierë deri kreun e partisë.
Vetë Rama, përtej meritave në qeverisje, duhet të nxisë të renë dhe motivimin e gjithkujt për t’u marrë me politikë duke hapur krahun edhe tani kur gjëndet në “zenit” politik, bile një largim i tillë do të linte pas një mbresë e precedent unik. Vetëm nëse mendon se është i pazëvëndësueshëm(!) dhe nëse pranojmë këtë, kemi dështuar si shoqëri. Demokracinë e paskemi si stoli nëse qëndrueshmëria e pushtetit, që mbase i shkon për shtat edhe perëndimit, vleka më shumë!
“Metri” i meritave!
Në dukje meritokracia është fjalë që i thotë të gjitha. Mbi të gjitha, ajo duhet të bazohet në transparencë, garën e drejtë, moralin e vlerat qytetare ndryshe edhe një autokrat e diktator që del haptazi si i tillë është “meritokrat” sepse është atje ku është falë zotësisë e “meritave” të tij për të qënë finok dhe djallëzor në marrëdhëniet me të tretë, vjedhjen e votës, mbylljen e gojëve më pas etj. Një lloj mbijetese “darviniane” e më të fortit në politikë!
Qasja meritokratike nuk duhet të diskriminojë pozitivisht mes CV të profesionistëve të fushës. Një diplomë e huaj, një përvojë pune jashtë etj nuk duhet të jetë apriori më lart ndaj një diplome të vëndit, përvojës së punës në vënd etj, ndryshe është shërbimi më i keq që i bëjmë besimit tek vlerat që gjenerojmë si shoqëri dhe shpresës për të ardhmen.
Jo të gjithë e kanë mundësinë të studiojnë e punojnë jashtë shtetit, jo të gjithë “mjelin” rrethanat ku ndodhen (në tranzicionin e përfolur korruptiv ndodhi gjithshka) por të gjithë duhet të kenë të njëjtat shanse të barabarta për punësim deri në poste në majë. Kjo do të ishte vërtet meritokraci.
Nëse u “sos” thesi i politikës për të nxjerrë ministra dhe duhet medoemos të thirren burokratët, mirë është të ketë “garë” për ta. Ndërkohë, kjo pafuqi e politikës për të mbushur poste, është pafuqi e mazhorancës si për të ofruar politikanë të zotë për to ashtu edhe pafuqi për të gjetur gjuhën e përbashkët brënda saj. Në të dyja rastet, mazhoranca bën mirë që, herët a vonë, të shpallë zgjedhje të parakohëshme sepse qytetari ka nevojë për ministër të votuar dhe vullnet e përgjegjësi politike për administrimin e halleve të tij.
Cirku politik
Ndryshimet e fundit qeverisëse nuk treguan tejdukshmëri politike por demagogji dhe “autokraci” në rritje tek shumica në vend që, me të gjitha gjasat, do të mbetet e tillë gjatë aq më tepër kur tek opozita përballë mbetën duke u “kapur prej flokësh” sapo plasi “bomba” nongrata. Por çështja shtrohet, kujt i vlen një shumicë ku shumica hesht, vihet në rrjesht duke mos qënë në gjëndje të bjerë në ujdi mes vetes e mos ofruar ministra nga të votuarit në rradhët e saj?
Ka shumë gjëra që çalojnë me politikën tonë dhe na rëndojnë të gjithëve përditë. Por, nëse me pak fjalë, “mëma” e krizës mbetet sistemi zgjedhor dhe e drejta referendare. Sa kohë vullneti e vota e qytetarit nuk kanë forcë të diktojë realisht e ai ka çelsat e kashtës në dorë me ligjin aktual zgjedhor, politikanët do të vijojnë me “cirkun” e tyre me biletat gjithnjë e më të shtrënjta për t’a parë atë.
Mbase edhe lëvizjet në qeveri ishin numri i rradhës në cirkun e politikës. Mbase duke nxjerrë nga kapelja e magjistarit tek flinte “lepurin” e qeverisë me sfond teknik, po i hapet deriçka PD së mbetur zyrtare për një koalicion të madh! Mbase, me bekim edhe të vetë perëndi(mit) që në rrethanat e luftës në Europë, ndikimin rus dhe tutorësinë e reformave, ndruhet nga vota e një sistemi mazhoritar dhe mbase preferon më shumë qëndrueshmërinë që sistemi “spanjoll” i listave partiake garanton etj. Mbetet për t’u parë./dritare.net